Secondary Adv

Hyn në fuqi vendimi për resortet mikse, maksimumi 40 për qind e sipërfaqes së ndërtimit për banesa

Rregullat e reja për resortet mikse kërkojnë të paktën 60 për qind sipërfaqe turistike dhe maksimumi 40 për qind rezidenciale.

Qeveria ka përcaktuar rregulla të reja për ndërtimin dhe kategorizimin e resorteve mikse në Shqipëri, duke vendosur që sipërfaqja e ndërtimit për funksione rezidenciale të mos kalojë 40% të totalit, ndërsa të paktën 60% duhet të jetë e destinuar për funksione turistike.


Ndryshimet janë përcaktuar në vendimin nr. 842, datë 5 nëntor 2026, të Këshillit të Ministrave, të botuar në Fletoren Zyrtare. Vendimi rregullon raportin ndërmjet hapësirave turistike dhe atyre rezidenciale, administrimin e njësive të akomodimit dhe procedurat e certifikimit të strukturave të reja.


Resortet mikse, të paktën 60 për qind e sipërfaqes për turizëm


Sipas vendimit, në projektet e reja të resorteve mikse, të cilat kombinojnë strukturat turistike me banesat, komponenti turistik duhet të zërë të paktën 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit, ndërsa komponenti rezidencial nuk mund të tejkalojë 40%.


“Në zhvillimin e kategorisë ‘resort miks’, sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit turistik duhet të jetë jo më e vogël se 60 për qind e shumës së sipërfaqeve totale të ndërtimit të komponentit turistik dhe të komponentit rezidencial”, përcakton vendimi.


Raporti llogaritet mbi sipërfaqen totale të ndërtimit dhe jo mbi sipërfaqen e truallit. Në përllogaritje përfshihen edhe ambientet e përbashkëta, të cilat shpërndahen ndërmjet komponentit turistik dhe atij rezidencial sipas përdorimit.


Dokumentacioni i projektit duhet të identifikojë sipërfaqet për çdo objekt, kat dhe funksion, ndërsa përllogaritjet duhet të nënshkruhen nga projektuesi përgjegjës dhe subjekti zhvillues.


Apartamentet dhe vilat turistike nën administrimin e përbashkët të resortit


Një tjetër përcaktim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e administrimit të apartamenteve, vilave dhe dhomave të destinuara për akomodim turistik.

Në projektet e reja, këto njësi duhet të jenë pjesë e komponentit turistik të resortit dhe të mbulohen nga certifikata e kategorizimit të tij. Ato nuk mund të kategorizohen si struktura të veçanta akomoduese jashtë administrimit të përbashkët.


“Njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen si akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë ‘resort’”, thuhet në dokument.


Në resortet mikse, njësitë e përcaktuara për përdorim rezidencial nuk i nënshtrohen kategorizimit si struktura akomoduese. Kalimi i tyre në përdorim turistik mund të realizohet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të legjislacionit për turizmin dhe zhvillimin e territorit.


Pas miratimit të ndryshimit të funksionit, këto njësi përfshihen në komponentin turistik dhe në administrimin e përbashkët të resortit.


Certifikatë paraprake përpara marrjes së lejes së ndërtimit


Vendimi vendos edhe kërkesa të reja për certifikimin e strukturave akomoduese përpara fillimit të zhvillimit të tyre.


Zhvilluesit e strukturave të reja duhet të pajisen fillimisht me certifikatën paraprake të kategorizimit, e cila lëshohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.


Ky dokument vërteton përputhshmërinë e projektit me kriteret e kategorisë së propozuar, por nuk zëvendëson lejen e ndërtimit dhe nuk përjashton zhvilluesin nga procedurat e tjera të parashikuara në legjislacion.


Për strukturat që kanë marrë leje ndërtimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026, certifikata paraprake nuk kërkohet. Ndërkohë, projektet që nuk e kanë marrë ende lejen përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet t'i nënshtrohen procedurës së re.


Certifikatat ekzistuese mbeten të vlefshme


Vendimi ruan vlefshmërinë e certifikatave të kategorizimit të lëshuara më parë për apartamentet, vilat, dhomat, blloqet e apartamenteve dhe hotelet e shpërndara.


“Njësitë e akomodimit turistik të pajisura me këto certifikata vijojnë ushtrimin e veprimtarisë sipas kategorisë së certifikuar”, përcakton dokumenti.

Subjektet që disponojnë certifikata ekzistuese mund të vijojnë aktivitetin sipas kategorisë përkatëse, duke respektuar detyrimet ligjore në fuqi.


Kategoritë e reja të strukturave akomoduese dhe apart-hotelet


Për kërkesat e reja, qeveria ka përcaktuar kategoritë e strukturave akomoduese, ku përfshihen bujtina, fjetina, kampingu, hoteli, moteli, resorti, qendra kurative, struktura fjetje dhe mëngjes (B&B), apart-hoteli dhe struktura akomoduese e trashëgimisë kulturore.


Resorti miks përcaktohet si nënkategori e resortit vetëm për qëllime të certifikimit paraprak.


Kategoria “apart-hotel” përfshin apartamente të destinuara për akomodim turistik, të cilat mund të jenë në pronësi individuale, por duhet të funksionojnë nën administrim dhe menaxhim të përbashkët, me recepsion ose pritje të përbashkët.


Rregullat e reja synojnë të përcaktojnë më qartë ndarjen ndërmjet funksionit turistik dhe atij rezidencial në projektet e resorteve, si dhe kushtet që duhet të përmbushin zhvilluesit për kategorizimin dhe administrimin e strukturave akomoduese.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat